Numri një i futbollit kosovar, Agim Ademi ka zhvilluar një takim në Sofie edhe me presidentin e UEFA-s, Aleksandër Çeferin. Takimi i tyre ka ndodhur në kuadër të ceremonisë së 100-vjetorit të themelimit të Federatës së Futbollit të Bullgarisë.
Edhe për këtë takim ka njoftuar kreu i FFK-së nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, e ku shihet raporti i tij tejet miqësor me të parin e futbollit evropian.
“Diskutuam për rëndësinë e avancimit të infrastrukturës sportive në rajonin tonë dhe i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e madhe në këtë drejtim për federatën tonë, si anëtarja më e re e UEFA-s”, ka shkruar Ademi për takimin me Çeferinin.
Ai ka thënë se programi “HatTrick” i UEFA-s është financuesi më i madh në infrastrukturën e FFK-së, në fusha stërvitore dhe kampe nacionale, si në Hajvali, në Obiliq dhe tani në Batllavë.
Ademi ka bërë të ditur se për vitin e ardhshëm pritet të shtohet buxheti i UEFA-s për FFK-në përmes projekteve të HatTrick-ut.