Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e ka përgëzuar FC Dritën për kualifikimin historik në rrethin e tretë të Ligës së Evropës, pasi sonte (e enjte) në Shkup e mposhti Sileksin, me rezultat 2-0.
Në një mesazh në profilin e tij në Facebook, ai i ka uruar futbollistët, stafin teknik, drejtuesit e klubit dhe tifozët e FC Drita për fitoren e arritur, teksa këtë sukses e ka vlerësuar si dëshmi të rritjes së futbollit tonë.
Mesazhi i plotë i presidentit Ademi:
Një mbrëmje e spektakolare e Dritës në Ligën e Evropës. Kampioni ynë shndriti në stadiumin ‘Tose Proeski Arena’, duke e mposhtur skuadrën e Sileksit, 2-0.
Golat e Fidan Gërbeshit e Ardian Limanit i dhuruan sonte emocione jo vetëm “Intelektualëve” por edhe tërë komunitetit të futbollit në Kosovë dhe kësisoj vulosën suksesin më të madh deri më tash të klubit gjilanas, por edhe në tërësi të futbollit kosovar në garat evropiane.
Loja e futbollistëve të Dritës dhe kalimi në rrethin e tretë të kësaj gare dëshmon se po ecim në rrugën e duhur të ngritjes së futbollit të Kosovës në të gjitha nivelet.
Besoj thellësisht se në këtë stadium do të festojmë edhe muajin e ardhshëm me Kombëtaren në gjysmëfinale të “play-off”-it dhe do t’i afrohemi kualifikimit në Evropian!
Edhe një herë urime futbollistëve, stafit e drejtuesve të Dritës si dhe tifozëve “Intelektualët” për këtë sukses.
Faleminderit për emocionet që na dhuruat në mbrëmjen e sotme!
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së