Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka mirëpritur të hënën në aeroportin “Adem Jashari” futbollistin e ri të Kombëtarea së Kosovës, Leon Avdullahu, i cili së fundmi ka vendosur të përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Në një postim në rrjetet sociale, Ademi e ka cilësuar Avdullahun si “një talent të jashtëzakonshëm dhe një djalë të shkëlqyeshëm me dashuri të madhe për Kosovën”.
“Jam i bindur se Leoni do të japë shumë për Kombëtaren tonë dhe do të jetë pjesë e rrugëtimit tonë të përbashkët drejt sukseseve të mëdha”, ka shkruar kreu i FFK-së, duke e shoqëruar mesazhin me fotografi nga pritja në aeroport.
Avdullahu, i cili deri vonë ishte pjesë e përfaqësueses së Zvicrës U21, ka zgjedhur të luajë për Kosovën, duke ndjekur rrugën e shumë futbollistëve të tjerë shqiptarë që i janë bashkuar kombëtares së drejtuar nga selektori Franco Foda.
“Mirë se erdhe në shtëpi, Leon!”, ka përfunduar mesazhin e tij presidenti Ademi.