Ademi: Me këso lloj provokimesh, Serbia mund të përjashtohet nga Botërori

Të enjten kombëtarja e Serbisë ka zhvilluar një ndeshje në Katar, ku është mposhtur nga Brazili me rezultat 2:0.

Përveç se u mposht, Serbia ka bërë edhe një gjest të pahijshëm duke lënë një baner në zhveshtore ku shihet harta e Kosovës me ngjyra të flamurit serb, e ku shkruhej “nuk ka dorëzim”, me cirilik.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka bërë të ditur se e kanë dorëzuar ankesën në FIFA lidhur me këtë baner.

Në një intervistë në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka thënë se Serbia me veprime të tilla mund të përjashtohet nga Kampionati Botëror.

“Një gjest i tillë nuk përket me rregulloret e UEFA-s dhe FIFA-s. Kjo është plotësisht politike që ndodh në hapësirat e FIFA-s, ne nuk e tolerojmë. Tashmë kemi bërë ankesë, sigurisht se nuk do të lëmë vend pa bërë ankesa të tilla”.

“Po të ketë mundësi dhe po të ketë drejtësi, mund edhe të përjashtohet krejt nga Kampionati për këso lloj provokimesh që bëhen ndaj një shteti”.

“Ankesa në FIFA është dorëzuar, pritet vetëm konfirmimi. Ne nuk do të ndalemi vetëm këtu, por besoj se do të implikohen edhe institucionet tona shtetërore”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *