Presidenti i FFK-së, Agim Ademi së bashku me nënkryetarin Agim Dibrani dhe anëtarin e KE-së, Agim Nura, sot, kanë vizituar KF Ulpiana në Lipjan.
Ata kanë parë nga afër stadiumin, i cili dukej në gjendje të mirë, teksa po stërvitnin grupmoshat e reja të këtij klubi.
Ata, po ashtu, takuan edhe drejtorin e këtij klubi, Enver Duriqi, i cili e barti barrën kryesore në klub gjatë gjithë edicionit të kaluar si dhe trajnerët dhe zyrtarët e tjerë të klubit.
Ademi i inkurajoi ata që të vazhdojnë të punojnë me përkushtim përkundër rënies nga Superliga dhe çrregullimeve në menaxhimin e klubit kur për një periudhë kohore klubi ishte pa kryetar.
I pari i FFK-së tha se klubi nuk matet me rezultatet momentale, teksa shprehu falënderimin e tij ndaj investitorëve të klubit, e sidomos kryetarit, Abedin Salihu, i cili është edhe pronar i “Dino Company”, i cili me investimet në këtë klub dhe me bashkëpunëtorët e ngriti atë në nivel të lartë.
Ademi tha se e ardhmja e këtij klubi është e ndritur, ngase këtë ia garanton numri i madh i talenteve që ka në dispozicion, teksa i ofrojë mbështetjen e FFK-së për tërë atë që po japin për futbollin.