Sezoni i ri i Superligës është shumë afër dhe tashmë është mësuar edhe kalendari, por disa prej klubeve të futbollit kanë brenga të tjerë, përtej fushës së gjelbër.
Gjendja jo stabile financiare është ajo që po i përcjellë këto klube dhe një zgjidhje e afërt nuk duket në horizont. Derisa analistët mendojnë që kjo po vije për shkak të planifikimit jo të mirë buxhetor nga ana e klubeve, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi thotë se kjo situatë në klube vije për shkak të ndikimit të pandemisë.
Ademi në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se kjo problematikë është edhe në klube të mëdha dhe organizata botërore sportive, duke përfshirë edhe UEFA-në.
“Nuk është që vetëm klubet tona janë në krizë por ju e dini që pandemia dhe kjo kriza globale që po ndodh nëpër të gjithë botën, nëpër të gjitha ligat edhe më të fortat, duke i përgjysmuar pagat e lojtarëve, duke i zvogëluar kontrata, duke i liruar disa lojtarë nga kontrata dhe kështu me radhë ka ndodhur çdokund, e lëre më në Kosovë. Kosova është edhe si shtet, jemi në një situatë më të keqe ekonomike, por edhe biznismenët tanë, sigurisht që ata investitorë që janë në klube nuk e kanë të lehtë e sidomos ata që janë të vetmuar që e financojnë një klub. Kjo ndodh për shkak pikërisht të kësaj pandemie, për shkak të punës dhe veprimtarisë së kompanive tona biznesore nëpër bizneset e tyre të cilat janë të mangëta dhe është pas pandemisë një çrregullim i çmimeve gjithandej”, tha Ademi.
I pari i FFK-së shprehet i bindur se do të gjendet zgjidhja për të dalë nga kjo situatë, duke shtuar se institucioni që ai e drejton do t’iu dal klubeve në ndihmë.
“Gjithsesi besoj që do t’i dilet halli kësaj pune sepse Federata e Futbollit, me mundësitë tona, do të jemi të gatshëm t’i ndihmojmë aq sa kemi mundësi t’i ndihmojmë klubet. Gjithsesi është mirë të jetë një menaxhim jashtëzakonisht më i mirë, më i kujdesshëm nëpër klube, në të gjitha drejtimet, kur e kemi mundësinë tash me shumë korporata, kompani që mund t’i ndihmojnë klubet. Dëshirojë që klubet të kenë sa më shumë sponzorë, sa më shumë investitorë që të jenë bashkë, të krijohen shoqëritë aksionare me më shumë njerëz të cilët do ta ndajnë peshën edhe barrën dhe organizimi më i mirë i klubeve do të sjellë stabilitet ekonomik”, tha më tutje Ademi.
Ademi vlerëson se pagat e lojtarëve kanë një ndikim direkt në këtë situatë të krijuar, sepse sipas tij, vlerat e lojtarëve janë vështirë të përballueshme momentalisht për klubet tona.
“Një ritëm i tregut këtu që ka ardhur dhe mendoj që është një treg më shpejtë i ardhur se sa është pritur ose sa ishte dashur të vijë dhe duke u nisur nga pagat e futbollistëve, duke u nisur nga shpenzimet tjera sigurisht, por kjo krejt është si rrjedhojë e asaj që thash më parë që janë çmime jo reale ose çmime të ngritura jashtëzakonisht shumë pas pandemisë dhe në një far formë ka dalë pak a shumë nga kontrolli, jo vetëm tek ne por çdokund…Investitorët normalisht ka kohë që janë duke investuar nëpër klube pa rikthim për faktin që ne e dimë shumë mirë që ende nuk ka ndonjë ekip të Kosovës e cila ka mund të sigurojë mjete çoftë prej ndeshjeve ndërkombëtare apo prej shitjes së ndonjë futbollisti që nga këto dy komponentë faktikisht janë mjetet më të mëdha që mund të kenë në llogoritë e tyre mjetet të cilat i disponojnë në vazhdimësi të kampionatit.”, theksoi Ademi.
Skuadra e Gjilanit është e fundit që mund të futet në një krizë të tillë, pasi tashmë kanë dhënë dorëheqje kryetari Florim Zuka dhe gjithë kryesia e klubit. Për këtë situatë në klubin gjilanas, Ademi sqaron se mënyra më e mirë se si kjo skuadër mund të dal nga kjo krizë është që ajo të bëhet si një shoqëri aksionare.
“Ne u takuam me atë dhe nuk është çështja ekonomike e Florim Zukës por sigurisht që ai dëshiron të organizohet pak më mirë. Nuk besoj që Gjilani do të mbetet keq nga aspekti ekonomik por duhet të organizohet më mirë sepse menaxhmenti duhet të jetë krejtësisht tash profesional dhe krejtësisht i rregulluar në atë formë që njerëzit të cilët janë në menaxhim të klubit duhet të sjellin profit, jo të kenë vetëm vet por të sjellin profit edhe për klub nga të gjitha drejtimet dhe burimet e mundshme që i ka…Sigurisht që ne duhet të bëhemi të gjithë bashkë që të mund t’i organizojmë klubet, komuna, ministria, federatat, kompanitë të cilat janë rreth klubit dhe bashkarisht mund ta bëjmë gjendjen ekonomike në një nivel, ndoshta jo të kënaqshëm kur bëhet në këtë formë, por gjithsesi kaluese.”, tha në fund Ademi.
Ndryshe, derisa klubet po përballen me këtë problematikë të madhe, edicioni i ri i Superligës së Kosovës është në prag të fillimit. Gjithçka do të startojë me 13 gusht.