Ademi: Ashtu siç na porositi edhe presidenti Infantino, së bashku do ta çojmë futbollin në një nivel tjetër

Presidenti i federatës së futbollit të Kosovës, Agim Ademi është parë shumë i lumtur pas vizitës që Kosovës i bëri numri një i FIFA-s, Gianni Infantino.

Ademi i ka falënderuar krerët e shtetit për mikpritjen që i bënë Infantinos dhe gjithë komunitetin sportiv për një mbështetje të madhe që i dhanë kësaj vizite historike.

Ai ka premtuar se bashkërisht do të punojnë për ta ngritur në një nivel edhe më të lartë futbollin kosovar.

Postimi i Agim Ademit:

Sot në një ditë tejet të veçantë për futbollin e Kosovës dhe për shtetin tonë, dua të shpreh falënderimet e mia më të sinqerta për presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, ministrin e Sportit, Hajrulla Çeku dhe kryetarin e kryeqytetit, Përparim Rama për mikpritjen e shkëlqyeshme të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.

Po ashtu, mirënjohje për miqtë e mi Armand Duka e Muamed Sejdini, të cilët ishin pjesë e kësaj vizite historike dhe për delegacionin e FIFA-s, Mattias Grafstrom, zv/sekretar i përgjithshëm, Alasdair Bell, zv.sekretari i përgjithshëm i administratës, i cili ka merita të mëdha për argumentimin e fuqishëm për anëtarësimin e Kosovës në Kongresin e UEFA-s, Youri Djorkaeff, këshilltarin e lartë të futbollit dhe Federico Raviglionen, menaxher i zyrës së presidentit.

Falënderim i veçantë edhe për komunitetin e futbollit, gjeneratën e rezistencës, futbollistët e gjeneratës së artë, përfaqësuesit e klubeve të Superligës, Ligës së Parë, Ligës së Dytë dhe Ligës së Femrave, sponsorët dhe partnerët e FFK-së, administratën dhe ekipin tim, për mikpritjen, organizimin dhe punën e shkëlqyeshme me rastin e vizitës historike të të parit të futbollit botëror në vendin tonë.

Mirënjohje dhe respekt i veçantë edhe për Policinë e Kosovës, për stafin e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe për stafin e hotel “Emerald” për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në mbarëvajtjen e shkëlqyeshme të kësaj vizite.

Po ashtu, falënderoj edhe mediat për interesimin. Faleminderit të gjithëve, pasi me kontributin e gjithsecilit prej jush treguam se jemi shtet i futbollit dhe vend mikpritës.

Ashtu siç na porositi edhe presidenti Infantino, së bashku do ta çojmë futbollin e Kosovës në një nivel tjetër.

A.A.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *