Ademi: 9 vjet krenarie në familjen e madhe FIFA

Sot, më 13 maj 2025, shënohet një ndër datat më të rëndësishme në historinë moderne të sportit dhe shtetformimit të Republikës së Kosovës – përvjetori i nëntë i pranimit zyrtar të Kosovës në FIFA. Kjo ditë historike, e cila u kurorëzua më 13 maj 2016 në Meksikë nga Legjenda Fadil Vokrri, përfaqëson realizimin e një ëndrre të kahmotshme të futbollit kosovar për të qenë pjesë e barabartë e familjes më të madhe të futbollit botëror.

Me këtë rast, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka shpërndarë një mesazh përmes të cilit shpreh mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan ndër vite në këtë rrugëtim të lavdishëm.

Mesazhi i plotë i Ademit:

Sot shënojmë një nga datat më të rëndësishme në historinë e sportit dhe shtetformimit tonë – 13 majin 2016, ditën kur Kosova u bë zyrtarisht pjesë e FIFA-s në Kongresin e mbajtur në Meksikë. Janë bërë plot nëntë vjet që nga ajo ngjarje historike, që mbetet thellë në kujtesën e çdo njeriu që besoi dhe kontribuoi për ta bërë këtë ëndërr realitet.

Ky rrugëtim nisi në rrethana të vështira, me hapa të guximshëm dhe shumë sakrificë. Nga puna vizionare e Agim Bytyqit dhe bashkëpunëtorëve të tij në kohën e okupimit, te rezistenca e palëkundur nën drejtimin e Rexhep Abdullahut, më pas mbijetesa e futbollit nën udhëheqjen e Sabri Hashanit dhe deri te periudha e lavdishme e ndërkombëtarizimit me Legjendën Fadil Vokrri në krye – të gjitha këto faza ndërtuan themelet e fuqishme mbi të cilat qëndron sot futbolli ynë.

Pas nëntë vjetësh si anëtare e barabartë e familjes më të madhe të futbollit botëror, Kosova është shndërruar në një histori suksesi. Me përkrahjen e UEFA-s e FIFA-s dhe me angazhimin e palodhur të të gjitha strukturave të FFK-së, kemi arritur të zhvillojmë futbollin në të gjitha nivelet – nga grupmoshat, te futbolli i femrave, infrastruktura moderne e deri te ngritja e standardeve profesionale.

Kjo ditë është edhe një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për të gjithë ata që dhanë kontribut ndër vite – futbollistë, trajnerë, drejtues klubesh, administratorë, donatorë dhe partnerë ndërkombëtarë. Një falënderim i veçantë për presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për mbështetjen e vazhdueshme e të sinqertë ndaj vendit tonë.

Jam veçanërisht i nderuar që pikërisht sot, në këtë përvjetor të rëndësishëm, ndodhem në Paraguai për të përfaqësuar Kosovën në Kongresin e 75-të të FIFA-s – një moment që pasqyron më së miri rrugëtimin tonë të jashtëzakonshëm dhe pozitën e merituar që kemi fituar në skenën ndërkombëtare të futbollit.

Në emër të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, uroj gjithë komunitetin e futbollit dhe qytetarët e Kosovës për këtë përvjetor të veçantë. Të bashkuar, do të vazhdojmë të ndërtojmë një Kosovë të fortë – në fushën e gjelbër dhe përtej saj.

Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi – bashkë për futbollin!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *