Tifozët te ekipit serb të futbollit Crvena Zvezda kanë shfaqur një koreografi të turpshme, duke paraqitur kryqe që simbolizojnë varrezat me ngjyrën e flamurit Ukrainas.
Një fotografi të ngjashme të realizuar nga stadiumi e ka postuar ne rrjetin social Facebook edhe Bojan Dimiç, zyrtar i lartë i BIA-s, i cili ka mbajtur pozita udhëheqëse në Cvrena Zvezda dhe njihet për afërsinë me tifozët e këtij ekipi.
Blerim Vela, shef i stafit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në një shkrim në Twitter, ka thënë se Crvena Zvezdan e mbështet Vuçiq, i cili njihet për njësitë e tyre “qentë e luftës” që morën pjesë në luftërat e ish-Jugosllavisë.
“Këta janë Delije, ultrasit e futbollit të kampiones në fuqi të Serbisë, Crvena Zvezda, duke zbuluar një pankartë tronditëse të flamurit ukrainas me varre në sfond. Ky është ekipi që mbështet Vuçiq, i cili njihet për njësitë e tyre “qentë e luftës” që morën pjesë në luftërat e ish-Jugosllavisë” shkroi ai.
Ndërkaq, më herët, Dimiç ishte dekoruar nga presidenti i Serbisë Vuçiq.
Si duket Vuçiqin dhe Dimiçin i lidh edhe mbështetja e madhe ndaj presidentit rus Putin, pasi qe vajza e Dimiç ditë me parë ka postuar në rrjetet sociale një fotografi dhe postim në mbështetje të presidentit rus Putin në agresionin e tij kundër Ukrainës.
Ndryshe, Dimiç kishte ngritur padi ndaj Rada Trajkoviçit, politikanes serbe nga Kosova, me ç’rast asaj i është ndalur pensioni nga shteti i Serbisë, për shkak të deklaratave të saj se shërbimet serbe të sigurisë dhe mafia janë përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Bojan Dimiç, akuzohet se është njeri i lidhur me mafien dhe rusët në Serbi. Madje, në procesin gjyqësor kundër Trajkoviçit, Dimiçin e përfaqëson avokati Goran Petronijeviç, i cili është një nga serbët më prorusë në Serbi dhe kreu i “Misionit Humanitar Rus”. Ky avokat, është edhe përfaqësues ligjor i Milan Radojçiqit, nënkryetarit të Listës Serbe.