Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e ka ripërsëritur mospëlqimin e çfarëdo sjelljeje josportive, pasi i reagoi ashpër stafit të vet që i duartrokiti kartonit të kuq dhënë mbrojtësit të Chelseat, Andreas Christensen, në derbin e Premierligës të dielën.
Pas ndërhyrjes së VAR-it, kartoni i verdhë i dhënë mbrojtësit danez fillimisht u ndryshua në të kuq për shkak të faullit ndaj Sadio Manes si lojtar i fundit, transmeton GE.
Klopp u pa i mllefosur kur dikush nga banka rezervë e Liverpoolit i duartrokiti vendimit të gjyqtarit për karton të kuq.
“A ju kanë lënë mendtë? Ne nuk e bëjmë këtë kurrë, në rregull?”, Klopp u dëgjua duke bërtitur nga vija anësore.
Kartoni i kuq doli të ishte vendimtar, pasi Liverpooli fitoi 2:0 falë dy golave nga Sadio Mane.
Klopp e sqaroi qëndrimin e tij për duartrokitjen e kartonit të kuq pas ndeshjes dhe e pranoi se largimi i Christensen e ndryshoi ndeshjen.
“Nuk (duartrokiti) njëri prej lojtarëve të mi rezervë por një anëtar stafi dhe unë i tregova atij se çfarë mendoj për këtë dhe ai e kupton”, shtoi ai.