Franca u eleminua nga mendjemadhësia dhe… Kylian Mbappe. Kështu shkruajnë mediat e shumta europiane, edhe më gjerë. Humbja e penalltisë nga ylli i PSG-së konsiderohet fatale, jo vetëm pse dërgoi “gjelat” në shtëpi qysh në 1/8 finale, por sepse eklipsoi edhe më tej figurën e 22-vjeçarit, për të cilin çmenden klubet më të mira në glob, por e mbylli kompeticionin e kësaj vere pa asnjë gol. Dështoi edhe nga pika e bardhë. E meqë jemi te penalltitë, ne si shqiptarë mund të krenohemi me një fakt.
Po, po, sepse kemi ekzekutuesin më të mirë të penalltive në Europë dhe botë. Fjala është për djalin e legjendës së futbollit shqiptar, Panajot Pano. E njihni të gjithë Ledio Panon, që në Shqipëri ka luajtur vetëm me Partizanin. Ai është i vetmi në listën përkatëse (kliko dhe shih) që nuk ka humbur qoftë edhe një penallti të vetme. Pra, e ka finalizimin nga pika e bardhë 100%. Nga 50 penallti të goditura, të 50-ta i ka kthyer në gola. Asnjë dështim, çka dëshmon për një “snajper” të vërtetë.