Kylian Mbappe ka deklaruar se nuk do të transferohet te Real Madridi në afatin kalimtar të janarit.
Këtë e ka konfirmuar vetë talenti francez në një intervistë duke dhënë përgjigjje finale rreth largimit të tij nga PSG-ja në merkaton e janarit.
“Jo, nuk do të bashkohem me Real Madridin në janar. Në janar nuk ndodh”, ka thënë Mbappe në një intervistë për CNN.
“Jam në Paris Saint-Germain, jam shumë i lumtur dhe do ta përfundoj 100% sezonin si lojtar i PSG-së. Do të jap gjithçka për të fituar me Parisin të gjithë titujt këtë vit”, tha ai.
Kontrata e Mbappes me PSG-në skadon në qershor të vitit 2022, derisa ai ka të drejtë të nis bisedimet me klube të tjera që nga fillimi i vitit të ri.
Gjasat që Mbappe të largohet nga “Parku i Princave” janë të mëdha dhe Real Madridi është favorit në listën e klubeve që dëshirojnë transferimin e tij.
Sulmuesi francez i Paris Saint-Germainit është dëshira e kahmotshme e Real Madridit, ndonëse transferimi i tij në “Santiago Bernabeu” ishte afër të ndodhte në verë.