Brightoni trondit Arsenalin me fitore dramatike

Brightoni i “rrëmbeu” tre pikët e ndeshjes kundër Arsenalit, duke e shënuar golin e fitores në sekondat e fundit të ndeshjes. Fitorja me rezultat 2:1 ia jep Brightonit tre pikë të rëndësishme në garën për mbijetesë, ndërsa Arsenalit i dëmtohen edhe më shumë gjasat për kualifikim në Ligën e Kampionëve.

Në një ndeshje ku Arsenali, edhe pse ishte mysafir, arriti të dominojë si me posedim të topit, krijim të rasteve dhe goditje drejt kuadratit të portës, Brightoni arriti të dominojë me numër të golave të shënuara, duke e mposhtur Arsenalin për herë të dytë këtë sezon në Premierligë.

Arsenali i pati disa raste të mira gjatë pjesës së parë, më e mira prej së cilave ishte goditja e Bukayo Saka, të cilit ia mohoi golin shtylla e portës, pas një aksioni të bukur nga skuadra e Mikel Artetas.

Lacazettes gjithashtu i ishte mohuar një gol nga pritje mbresëlënëse e portierit Ryan, para se Topçinjtë ta pësonin një goditje të madhe – humbjen e portierit Bernd Leno, i cili e lëndoi gjurin e tij pas një përplasjeje me sulmuesin e Brightonit, Neal Maupayn.

Por, përderisa Arsenali ishte skuadra më e mirë në American Express Community Stadium, londinezët nuk arritën ta gjejnë golin deri në minutën e 68-të, kur shënoi Nicolas Pepe, pasi që goli i shënuar nga Pierre Emerick-Aubameyang 15 minuta më parë ishte anuluar shkaku i një pozite jashtë loje.

Festa e tifozëve të Arsenalit nuk zgjati shumë pasi që Brightoni arriti ta barazojë rezultatin vetëm shtatë minuta më vonë, kur një goditje e Leëis Dunk krijoi një rrëmujë në mbrojtjen e Arsenalit dhe e barazoi rezultatin.

Arsenali vazhdoi të luftojë për ta shënuar golin e fitores, megjithatë këtë gol e gjetën vendasit në sekondat e fundit të ndeshjes, kur golin e shënoi Neal Maupay. Ky gol shkaktoi një zënkë mes lojtarëve, pasi gjyqtari e sinjalizoi fundin e ndeshjes.

Përveç tre pikëve të rëndësishme të humbura në këtë ndeshje për garën për dalje në Evropë, Arsenalit në këtë ndeshje iu vështirësua situata me lëndime të lojtarëve, pasi që Leno, njëri ndër lojtarët kyç të Topçinjve këtë sezon, u duk se pësoi lëndim serioz në gjurin e këmbës.

Arteta tani do të duhet ta përgatisë skuadrën e tij për ndeshjen kundër Southamptonit pa Lenon, Pablo Marin e lënduar kundër Manchester Cityt, David Luizin e suspenduar, dhe pa Sokratik, Calum Chambers e Cedric Soares që veçse kanë qenë të lënduar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *