Gjyqtari me Covid-19 tregon se a ka pasur kontakt me botën e futbollit vendor

Ilir Mehmeti, gjyqtari i parë dhe vetëm personi i dytë në ligën elitare kosovare i prekur me Covide-19, ka këmbëngulur se nuk ka pasur kontakt me asnjë individ brenda futbollit kosovar në dhjetë ditët e fundit, pasi të mërkurën doli pozitivë në testin e dytë për koronavirus këtë muaj.

Mehmeti është vetëm personi i dytë, pas futbollistit të Dritës Izari Eminit, që infektohet me këtë sëmundje ngjitëse në Ipko Superligë. Derisa i pari e mësoi lajmin dëshpërues të mërkurën mbrëma, ky i dyti e ka tejkaluar virusin tashmë.

Ndër simptomat ishin kokëdhimbje dhe dhimbje në nyje. Ai thotë nuk ndien ndonjë problem tjetër dhe do t’i kalojë dy javë në vetizolim.

Gjyqtari i Ipko Superligës së Kosovës tregon për Gazetën Express se simptomat e Covid-19 nisën t’i shfaqën vetëm këtë fundjavë, më pak se dhjetë ditë pasi ishte pjesë e zyrtarëve që e drejtuan takimin mes Prishtinës dhe Ferizajt në Fadil Vokrri më 7 qershor.

Mehmeti këmbëngul se, që prej atij takimi, ai nuk ka pasur kontakt me asnjë person të përfshirë në futboll, pasi nuk është caktuar më për asnjë ndeshje.

Gjyqtarët e Ipko Superligës u testuan para se të rifillonte sezoni më 2 qershor me ndeshjet gjysmëfinale në Kupën e Kosovës dhe Mehmeti thotë se atëherë kishte dalë negativ.

“Para rifillimit të kampionatit i kemi bo testet dhe kam dalë negativ. Kam referuar në ndeshjen Prishtina-Ferizaj, dhe nga ajo ndeshje nuk kam qenë më i deleguar. Në këtë fundjavë, fillova t’i ndiej disa dhimbje në nyje, pastaj m’u shfaqën disa probleme në frymëmarrje dhe kokëdhimbje”, ka rrëfyer Mehmeti për Express.

Ai zbulon se i kishte refuzuar takimet me gjyqtarë pas shfaqjes së simptomave, duke shtuar:

“Menjëherë shkova në IKSHPK në Prishtinë për ta bërë testin. Ndërkohë, isha i ftuar në një takim me gjyqtarë në Federatën e Futbollit të Kosovës, por nuk shkova fare në atë takim. Fillimisht nuk iu tregova arsyen e mungesën, në mënyrë që të mos i shqetësoja ata. Dhe pasi e mora rezultatin që isha pozitiv, i njoftova se jam infektuar me Covid-19 dhe kjo ishte arsyeja që nuk shkova. Kam bërë shumë mirë që s’kam shkuar. Dhe doli diçka me fat që nuk kam qenë i deleguar në ndeshje tjera. Në këtë mënyrë iu kam shmangur kontakteve me gjyqtarë dhe sportistë të tjerë”.

Ai është i bindur se nuk e ka përhapur virusin në futbollin kosovar dhe do t’i kalojë dy javë në vetizolim me rekomandim të mjekëve.
“Me në këtë mënyrë nuk kam shkaktuar përhapje të koronavirusit në futbollin kosovar, jam i sigurt. Mjekët më thanë të qëndrojë në vetizolim në shtëpi për 2 javë dhe t’i lajmëroj mjekët vetëm në rast se gjendja m’u përkeqësohet. Por tani për tani, përveç disa dhimbjeve të lehta të nyjave, dhe pak kokëdhimbje, nuk kam ndonjë problem tjetër. Më kontaktoi kryetari [i FFK-së] Agim Ademi dhe kryetrari i gjyqtarëve të Kosovës, Përparim Hasani, të cilët më ofruan përkrahje të pa rezervë dhe më inkurajuan ta mposhti pa problem këtë virus. Për këtë do t’u jem mirënjohës tërë jetën”, ka deklaruar Mehmeti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *