Të shtunën mbrëma, Federata Shqiptare e Futbollit doli me një komunikatë ku potencoi se ka ndërprerë bashkëpunimin me transmetuesin DigitAlb.
Kjo kompani deri më tash kishte transmetuar të gjitha ndeshjet e Kategorisë Superiore, por kjo marrëveshje është prishur për shkak të mos kryerjes së obligimeve financiare të DigitAlb ndaj Federatës.
FSHF njofoi se të gjitha takimet tash e tutje do të transmetohen falas në faqen e tyre.
Periskopi menjëherë ka kontaktuar me presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, për ta kuptuar si qëndrojnë punët e kësaj kompanie në raport me futbollin kosovar, të cilin poashtu e transmeton me të drejta ekskluzive.
Ai ka thënë se edhe organizata që ai drejton do të ndjekë të njëjtat hapa nëse nuk respektohet marrëveshja financiare.
“Ende jemi në kontratë me SuperSportin deri në fund të kampionatit, pastaj do të shohim kush është i interesuar dhe cila do të jetë oferta më e mirë për të vendosur bashkarisht,” ka thënë Ademi
“Nëse ndodhë që nuk i kryejnë obligimet, sigurisht se do të veprojmë njejtë (si FSHF).”