Bashkimi i Prizrenit i ka dhënë fund dominimit të Trepçës në basketbollin kosovar, duke triumfuar në Superkupën e Kosovës pas një ndeshjeje spektakolare dhe plot emocione.
Prizrenasit e mposhtën Trepçën 103:93, në duelin e zhvilluar të martën mbrëma në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.
Ndeshja u vendos vetëm pas vazhdimit prej pesë minutash, ndërsa fundi i kohës së rregullt solli një dramë të jashtëzakonshme.
Kur kishin mbetur vetëm nëntë sekonda dhe rezultati ishte 84:84, Mikaile Tmushiq dështoi të realizonte për tri pikë. Në aksionin pasues, Shanon Shorter realizoi një gjuajtje spektakolare pothuajse nga gjysma e fushës për ta kaluar Bashkimin në epërsi 87:84.
Prizrenasit nisën festën, por Trepça nuk ishte dorëzuar.
Skuadra mitrovicase kishte në dispozicion edhe 1.6 sekonda për aksionin e fundit. Drilon Hajrizi e gjeti Dardan Kapitin, i cili mori përsipër gjuajtjen nga gjysma e fushës dhe realizoi në mënyrë spektakolare për 87:87.
Kështu, fituesi u desh të përcaktohej në vazhdim.
Edhe para nisjes së pesë minutave shtesë pati tension, ndërsa trajneri i Trepçës, Adis Beqiragiq, u përjashtua pas reagimit ndaj gjyqtarëve.
Në vazhdim, Bashkimi ishte dukshëm më bindës dhe e kontrolloi lojën, duke e fituar atë me rezultat 16:6.
Në këtë mënyrë, Bashkimi siguroi Superkupën e Kosovës, duke e mbyllur një natë të paharrueshme pas një prej përfundimeve më dramatike të një ndeshjeje basketbollistike në vend.