Kosova do të mësojë sot kundërshtarët në edicionin 2026/2027 të Ligës së Kombeve, ku për herë të parë do të garojë në Ligën B, niveli i dytë i kësaj gare evropiane për kombëtare. Shorti do të hidhet në Bruksel nga ora 18:00, ndërsa ky edicion shënon një tjetër hap përpara për “Dardanët” në arenën ndërkombëtare.
Pas një rruge që nisi në Ligën D dhe tri sezonesh në Ligën C, përfaqësuesja e Kosovës ka siguruar ngritjen në Ligën B. Në short, Kosova ndodhet në vazon e katërt së bashku me Suedinë, Maqedoninë e Veriut dhe Irlandën e Veriut, skuadra me të cilat nuk mund të përballet në fazën grupore. Nga vazoja e parë mund të përballet me Skocinë, Hungarinë, Poloninë ose Izraelin; nga e dyta me Zvicrën, Austrinë, Ukrainën ose Bosnjë-Hercegovinën; ndërsa nga e treta me Slloveninë, Gjeorgjinë, Irlandën ose Rumaninë.
Ndërkohë, fokusi i përfaqësueses mbetet ndeshja gjysmëfinale e plejofit për Botërorin 2026 kundër Sllovakisë, që zhvillohet më 26 mars në Bratislavë. Xhirot e fazës grupore të Ligës së Kombeve do të luhen nga 24 shtatori deri më 17 nëntor.