“Prishtina 2030” po merr formë, ICMG vlerëson përgatitjet e deritanishme

Takimet koordinuese për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 mes komisionit koordinues të ICMG-së, komitetit organizativ (OCMG), si dhe kompanisë për realizimin e Master Planit, “RC Advisory Group Limited”

Më 12 dhe 13 dhjetor u zhvillua takimi tjetër i rëndësishëm në Prishtinë ku u bë prezantimi i Master Planit të LM Prishtina 2030 përfshirë programin sportiv, infrastrukturën, mobilitetin, qeverisjen, buxhetin, menaxhimin e projekteve dhe trashëgiminë e Lojërave.

Julian Pace Bonello, kryetar i Komisionit Kordinues, theksoi se është arritur akordi për një numër sportesh kryesore që do të jenë në programin sportiv, derisa shtoi se Kosova është në rrugën e duhur për të qenë gati për Lojërat Mesdhetare.

“Ata kanë plane konkrete në mendjet e tyre dhe besoj se do të jenë gati për vitin 2030 për të pasur Lojërat Mesdhetare më të mira ndonjëherë… Në thelb ajo që do të ndodhë është se ne kemi rënë dakord për një numër sportesh kryesore që do të jenë në programin sportiv për vitin 2030. Dhe tani komiteti organizativ së bashku me konsulentët e tyre do të vijnë te ne dhe do të na tregojnë për këto sporte, se ku do të mbahen, në cilat vende (stadiume/salla), distancat dhe gjëra të tilla… “Mendoj se këto lojëra do të rrisin reputacionin ndërkombëtar të Prishtinës dhe gjithashtu të Kosovës.”, theksoi Bonello.

Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, tha se përmes takimeve Kosova po tregon hapat që po i ndërmerr në përgatitjet për ‘Prishtina 2030’, lojërat këto të cilat, sipas Ramës, janë event monumental për vendin tonë.
“E dini që jemi duke bërë punë të njëpasnjëshme për përgatitje për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030, pra “Prishtina 2030”, një event monumental faktikisht jo vetëm për kryeqytetin, por për të gjithë Kosovën, ku kemi mundësinë me i tregu krejt botës çfarë nikoqir të mrekullueshëm jemi, edhe për këtë arsye është me rëndësi që të përgatitemi për këto lojëra… Po i diskutojmë mundësitë e inkuadrimit të lojërave të ndryshme, pra flitet këtu diku rreth 22 deri 24 lojëra të ndryshme, të cilat do të ndodhin në kryeqytet dhe në pjesë të ndryshme të Kosovës, e po ashtu e dimë që për sailing, pra për lundrim, e kemi edhe Durrësin si pjesë të propozimeve për Lojërat Mesdhetare në kryeqytet në vitin 2030. Pra janë të gjitha këto diskutimet, prezantimet edhe vendimmarrjet për përgatitje për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.”, deklaroi ai.

Vizita e përfaqësuesve të ICMG-së në Prishtinë shënoi një tjetër hap të rëndësishëm drejt avancimit të përgatitjeve për Prishtina 2030.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *