Sonte Drita-Shkëndija, pritet spektakël në ‘Fadil Vokrri’

Sonte, stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të jetë skena e një prej ndeshjeve më emocionuese të kësaj faze të Ligës së Konferencës, ku përballen Drita dhe Shkëndija e Tetovës. Prishtina pritet të marrë pamjen e një feste të madhe futbolli, me dy tifogrupet e njohura shqiptare – “Intelektualët” dhe “Ballistët” – të cilët kanë paralajmëruar koreografi, atmosferë të ndezur dhe ngjyra kuqezi, në prag të festës së 28 Nëntorit.

Ndërsa tribunat pritet të shpërthejnë në spektakël, në fushë ndeshja merr karakter krejt tjetër: luftë sportive për pikë të artë. Të dy skuadrat janë në garë të ngushtë për pozitat që sigurojnë kalimin në fazën nokaut të Ligës së Konferencës, andaj dueli i sonte bart peshë të madhe.

Te Drita e respektojnë Shkëndijën, por duan fitore

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka vlerësuar lartë kundërshtarin dhe është shprehur se skuadra e tij është e gatshme për sfidën më serioze të këtij edicioni evropian.

“Gjithë ekipi është gati. Shpresoj të japim maksimumin. Shkëndijën e vlerësojmë shumë, është ndeshja më e vështirë në këtë fazë të ‘Conference League’”, tha ai.

Ramadani theksoi cilësinë kolektive të Shkëndijës, duke përmendur emra si Latifi, Krasniqi, Tamba, Alhassan, Ramadani dhe talentin e ri Haxhija.

Kapiteni i Dritës, Rron Broja, u shpreh se skuadra ka cilësinë e nevojshme për të shkruar histori.

“Shkëndijën e njohim mirë dhe e respektojmë maksimalisht. Ka individë cilësorë, por edhe ne kemi kualitet të marrim tri pikë. Rezultati pozitiv do të na afronte shumë me plejofin,” u shpreh Broja.

Shkëndija me motiv shtesë në Prishtinë

Endrit Krasniqi, ish-lojtar në Kosovë dhe tash pjesë e Shkëndijës, pret mbrëmje të veçantë.

“Në këtë stadium kam fituar trofe dhe shpresoj që edhe sonte të dal fitues. Jam i lumtur që Drita po luan në këtë nivel, por dua fitore për Shkëndijën,” deklaroi ai.

Trajneri Jeton Beqiri paralajmëroi një mbrëmje të jashtëzakonshme.

“Pres spektakël në tribuna dhe në fushë. Ne do të mundohemi të jemi në nivel dhe të marrim rezultatin që duam – fitoren”, tha Beqiri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *