Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka theksuar se klubi “kurrë” nuk do ta përdorë vdekjen tragjike të Diogo Jotës si “justifikim” për fillimin e dobët të sezonit 2025–26.
Jota humbi jetën në korrik, në një moment që tronditi botën e futbollit. Shumë lojtarë të Liverpoolit, përfshirë Mohamed Salah, humbën më shumë sesa një bashkëlojtar – ata humbën një mik shumë të afërt.
Edhe pse paraqitjet nuk ishin bindëse, Liverpooli e nisi sezonin me shtatë fitore radhazi në Ligën Premier, Ligën e Kampionëve dhe Carabao Cup. Por më pas erdhi një seri prej katër humbjesh radhazi, që u kthyen në gjashtë disfata në shtatë ndeshje.
https://x.com/bbcsportscot/status/1990911816302498221?s=46
Në sfidën e fundit, Liverpooli u mposht bindshëm 3–0 nga Manchester City, duke i lënë të kuqtë tashmë tetë pikë prapa kreut dhe mbrojtjes së titullit që po rrënohet dita ditës.
Slot megjithatë shtoi se klubi anglez nuk e përdorë vdekjen e portugezit për t’i justifikuar rezultate negative.
“Në këtë moment, gjithmonë mendoj se si duhet të jetë për gruan dhe fëmijët e tij, sepse për ta është shumë, shumë, shumë më e vështirë sesa për ne. Por që do ta ndjejmë mungesën e lojtarit dhe të njeriut, kjo është krejtësisht e qartë. Tani luajmë kundër Nottingham Forest; sezonin e kaluar ishim 1–0 në disavantazh dhe atij (Jotës) i mjaftoi një minutë që ta barazonte rezultatin”.
“Gjëja e fundit që do të bëja është ta përdorja këtë si justifikim,” shtoi ai. “E di me siguri se na mungon lojtari, kjo është 100 për qind e vërtetë, dhe na mungon edhe njeriu, por unë nuk mund ta mas ndikimin që kjo ka në rezultatet tona. Është e pamundur për mua ta them dhe kurrë nuk do ta përdorim si justifikim”./Telegrafi/