Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka folur për shortin e fazës së play-off-it për kualifikimin në Kupan e Botës 2026, ku Dardanët më 26 mars do të përballen me Sllovakinë në Bratisllavë.
Foda vlerësoi lart kundërshtarin, por theksoi se Kosova tashmë ka fituar vetëbesim dhe është e përgatitur për sfidën.
“Ndeshja e parë është si mysafirë i Sllovakisë. Sllovakia ka një ekip shumë të mirë. Ata fituan kundër Gjermanisë (2-0), por bazuar në rezultatet tona, kemi fituar si mysafirë në Suedi, Slloveni dhe gjithashtu kundër Islandës. Ekipi tani ka shumë vetëbesim dhe do të jetë një ndeshje e barabartë”, tha Foda.
Ai shtoi se fokusimi maksimal duhet të jetë në ndeshjen e parë: “Nëse fitojmë këtë ndeshje, pastaj kemi një ndeshje në shtëpi ku mund të vendosim gjithçka, por siç e thashë, ndeshja më e rëndësishme është ndeshja e parë në Sllovaki, dhe pastaj të shohim më tej”.
Në rast fitoreje ndaj Sllovakisë, Kosova do të luajë finalen e play-off-it në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, ku kundërshtari do të jetë fituesi i takimit Turqi – Rumani.