Kosova ka arritur mbrëmë suksesin më të madh historik.
Fitorja ndaj Sllovenisë në Lubjanë, na siguroi të paktën kualifikimin në fazën e play-offit, por mundet edhe të arrijë edhe vendin e parë në rast të një fitoreje të thellë ndaj Zvicrës të martën.
Për suksesin e “Dardanëve”, bëri postim edhe kreu i FSHF-së dhe zv.presidenti i UEFA-së, Armand Duka.
“Kjo është një ditë krenarie për të gjithë shqiptarët, pa dallim kufijsh. Shqipëria dhe Kosova janë bashkuar për të parë njëri-tjetrin në një kompeticion kaq të madh, dhe ky moment është një shpërblim për punën dhe përpjekjet e të gjithëve. Urime Kosovës për këtë arritje të jashtëzakonshme! Urime mikut tim të nderuar, Agim Ademi, dhe gjithë ekipit të Kosovës që po shkruajnë historinë e tyre!”, shkroi Duka.
Duka ka theksuar se ky është një moment i veçantë, jo vetëm për Kombëtaren e Kosovës, por edhe për të gjithë shqiptarët që, për herë të parë, do të kenë mundësinë të shohin dy skuadra të përfaqësojnë kombin shqiptar në arenën ndërkombëtare të futbollit.
“Ky është një muaj i dyfishtë i gëzimit për të gjithë ne. Si Shqipëri dhe si komb shqiptar, duhet të jemi të gjithë të bashkuar dhe të mbështesim njëri-tjetrin në këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm që po bëjmë,” shtoi ai.
Kujtojmë se Kosova, e përmbyll ciklin kualifikues të martën ndaj Zvicrës në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.