Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka uruar Kombëtaren U17 të vajzave për suksesin e arritur në kualifikimet e Kampionatit Evropian 2026, ku Dardanet e reja siguruan kalimin në Ligën A si skuadra më e mirë e pozitës së dytë në grupet e Ligës B.
Në një postim në rrjetet sociale, presidenti Ademi ka shprehur krenarinë dhe vlerësimin e tij për këtë arritje të rëndësishme, duke theksuar punën e palodhshme të vajzave dhe stafit teknik.
“Krenar me Kombëtaren U17 të vajzave që edhe këtë vit arriti të sigurojë kalimin në Ligën A të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2026. Ky është një sukses i madh që dëshmon punën, përkushtimin dhe cilësinë e brezit të ri të futbollisteve tona, si dhe punën e mirë të stafit të trajnereve në krye me Sanije Krasniqin.
Kjo është hera e katërt radhazi që Dardanet tona të reja arrijnë këtë objektiv, duke e bërë FFK-në shembull të zhvillimit të futbollit të vajzave në rajon.
Urime lojtareve, stafit dhe gjithë atyre që kontribuojnë çdo ditë për këtë rrugëtim të mrekullueshëm të futbollit tonë!”, ka shkruar Ademi.