Drita triumfon ndaj Malishevës, Curri debuton me fitore te Gjilani

Pas pushimit të ndeshjeve të kombëtareve, AlbiMall Superliga e Kosovës është rikthyer me duelet e para të javës së 8-të, ku kampionia në fuqi, Drita, ka vazhduar formën e mirë me një tjetër fitore, ndërsa Debatik Curri e ka nisur me sukses aventurën e tij si trajner i Gjilanit.

Drita fiton në finish ndaj Malishevës

Drita ka shënuar fitoren e tretë radhazi në kampionat, pasi mposhti Malishevën me rezultat 2:1 në stadiumin me bar sintetik në Gjilan. Ndeshja solli një lojë të luftuar dhe plot raste, ndërsa heronjtë e fitores për skuadrën gjilanase ishin Besnik Krasniqi dhe Albert Dabiqaj.

Krasniqi realizoi nga pika e bardhë në minutën e 67-të, duke shënuar golin e tretë personal në këtë edicion dhe të 37-in me fanellën e Dritës. Megjithatë, Malisheva arriti të barazojë përkohësisht me anë të Xhemal Ibishit në minutën e 81-të, pas një goditjeje me kokë që u devijua nga Egzon Bejtullai.

Kur dukej se ndeshja do të përfundonte në barazim, Albert Dabiqaj shfrytëzoi në minutën e 86-të asistimin e Liridon Balajt për të vulosur fitoren 2:1 për Dritën.

Me këtë triumf, kampionët në fuqi arrijnë kuotën e 14 pikëve dhe ngjiten në pozitën e katërt, me një ndeshje më pak të zhvilluar, ndërsa Malisheva mbetet me 10 pikë pas dy humbjeve radhazi.

Debatik Curri debuton me fitore te Gjilani

Në ndeshjen tjetër të ditës, Gjilani ka shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Prishtinës së Re me rezultat minimal 1:0, në takimin e zhvilluar në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.

Kjo ishte ndeshja e parë për trajnerin e ri, Debatik Curri, i cili e nisi me fitore aventurën e tij në krye të skuadrës së kuqe e bardhë.
Golin vendimtar e realizoi sulmuesi Senad Jaroviq në minutën e 83-të, pas një situate të rishikuar me VAR. Fillimisht, goli ishte anuluar për pozitë jashtë loje, por pas rishikimit, gjyqtari Dardan Çaka e konsideroi të rregullt.

Në pjesën e parë, Gjilani pati pretendime për penallti pas prekjes me dorë të një mbrojtësi të Prishtinës së Re, por pas konsultimit me VAR, vendimi mbeti pa ndryshim.

Fitorja i jep fund serisë negative të Gjilanit pas tri humbjeve radhazi, ndërsa Prishtina e Re vazhdon krizën me vetëm një barazim dhe katër humbje në pesë ndeshjet e fundit.

Tani, Gjilani dhe Malisheva kanë nga 10 pikë, ndërsa Prishtina e Re mbetet e fundit në tabelë me 7 pikë pas nëntë ndeshjeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *