“Marrëzi nëse nënçmohen, as Isak e Gyokeres nuk ua thyen mbrojtjen”, në Itali s’e duan përballjen ndaj Kosovës

Kombëtarja e Kosovës është një nga kundërshtarët që Italia assesi s’duhet ta nënçmojë, kështu ka shkruar mediumi i njohur “Football-Italia.net”.

Mediumi në fjalë ka bërë një analizë rreth secilit kundërshtar potencial të Italisë për play-offin e Kupës së Botës, meqenëse “Azzurët” kanë gjasa minimale për të avancuar direkt nga faza e grupeve.

“Football-Italia” i ka kujtuar përzgjedhësit Gennaro Gattuson mbrojtjen e fortë që e ka Kosova, pasi “Dardanët” arrijnë ta mposhtin Suedinë në dy ndeshje, si dhe e mbajnë portën e paprekur.

“Kosova është një tjetër kundërshtare potenciale e play-offit pas fitores së madhe 1:0 ndaj Suedisë në ndeshjen e fundit kualifikuese. Rezultati ka bërë që Kosova të mbetet në vendin e dytë të Grupit B, me tri pikë prapa Zvicrës, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje”.

“Nëse Kosova e shmang disfatën në vizitën te Sllovenia në ndeshjen e ardhshme kualifikuese, do ta siguronte vendin e dytë në grup. Kosova ka dy fitore ndaj Suedisë, shtetit që synonte kualifikimin direkt për në Botëror”.

“Suedia e ka Alexander Isakun dhe Viktor Gyokeresin në sulm, por ata nuk arritën ta thyejnë mbrojtjen e bashkuar të Kosovës. Play-offi kundër Italisë do t’i ofronte Kosovës një tjetër mundësi për ta mposhtur njërën prej vendeve më të mëdha të futbollit në botë dhe do të ishte marrëzi të nënvlerësoheshin shanset e saj”, shkruan ndër të tjera mediumi italian.

Përndryshe, Kosova ka nevojë vetëm për një pikë në Slloveni për ta siguruar pozitën e dytë, derisa shorti për play-off do të tërhiqet me 21 nëntor./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *