Kosova në fokus të propagandës, gazetari serb: Vuçiq ka lidhje me botën e krimit dhe instrumentalizimin e sportit

Kosova ka qenë sërish pjesë e retorikës nacionaliste në Serbi, ndërkohë që presidenti Aleksandar Vuçiq po përballet me kritika të forta për lidhjet e tij të supozuara me botën e krimit dhe përdorimin e sportit për qëllime politike.

Gjatë ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë, e zhvilluar në Leskovac, tifozët brohoritën slogane si “Kosova është Serbi”, ndërsa munguan thirrjet kundër trajnerit apo drejtuesve të Federatës, ndryshe nga sa ndodh zakonisht.

Kjo situatë sipas analizës së gazetarit serb Zoran Preradoviq, u interpretua si një organizim i qëllimshëm, ku përmes përzgjedhjes së publikut dhe vendit të ndeshjes, u synua shmangia e pakënaqësive ndaj Vuçiqit.

:Zgjedhja për të zhvilluar ndeshjen në Leskovac, dhe jo në qytete të mëdha si Beogradi, Nishi apo Novi Sadi, u cilësua si lëvizje taktike e pushtetit për të shmangur protesta apo reagime të hapura nga qytetarët. Një natë para ndeshjes, tifozë nga Nishi kishin protestuar pranë hotelit ku qëndronte kombëtarja serbe, duke treguar pakënaqësi ndaj situatës aktuale politike dhe sociale në vend”.

Në tekstin autorial të tij, kritikat më të forta ndaj Vuçiqit lidhen me lidhjet e tij të supozuara me grupe kriminale, që sipas raportimeve, janë përdorur jo vetëm për kontroll të skenës sportive, por edhe për të shtypur kundërshtimin politik. Përmenden figura të njohura nga bota e nëntokës, që kanë qenë të përfshira në sigurinë e inaugurimeve zyrtare dhe në aktivitete të ndryshme në emër të pushtetit.

Gjithashtu, është raportuar se përfaqësues të tillë janë transportuar me avionë shtetërorë në evente sportive jashtë vendit, ndërkohë që vetë sportistët kanë udhëtuar me mjete komerciale, çka ka nxitur edhe më shumë kritikat për prioritetet e qeverisë.

Sipas analizës, në krye të Federatës Serbe të Futbollit ndodhen figura si Dragan Dzhajiq, i rikthyer nga pensioni dhe i amnistuar nga e kaluara e tij ligjore, si dhe ish-udhëheqësi Slavisha Kokeza, i cili është larguar nga vendi mes akuzave për korrupsion.

Kjo situatë, sipas analizës së gazetarit serb, pasqyron një simbiozë të kahershme mes politikës dhe botës së krimit në Serbi, e cila ka evoluar nga koha e Arkanit dhe është institucionalizuar përmes rrjeteve të tifozëve, bizneseve dhe kontrollit të segmenteve të rëndësishme të jetës publike.

Në fund, Preradoviq paralajmëron se përdorimi i sportit dhe i nacionalizmit si vegla politike, në vend të menaxhimit profesional dhe reformave reale, mund të thellojë ndarjet në shoqëri dhe të rrisë tensionet në rajon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *