Përzgjedhësja e Kombëtares së Kosovës U19 (vajzat), Albina Rrahmani, ka vlerësuar se ekipi i saj është duke u përgatitur me seriozitet për ndeshjet që e presin këtë vjeshtë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, duke vënë në pah përvojën ndërkombëtare të gjeneratës aktuale.
“Ky është një kamp shumë i mirëseardhur, edhe pse është jashtë datave të UEFA-s e FIFA-s. Falë bashkëpunimit me Kombëtaren A, do të zhvillojmë një ndeshje testuese që do të na ndihmojë të shohim potencialin e vajzave, ndërkohë që kjo ndeshje i shërben edhe ekipit A. Në fund të tetorit do të kemi dy miqësore me Malin e Zi, ndërsa në nëntor na presin ndeshjet kualifikuese që do të jenë shumë të vështira, pasi kemi përballë ekipe shumë të forta si Portugalia, Danimarka dhe Islanda. Është një gjeneratë që ka përvojë në ndeshje ndërkombëtare dhe kjo eksperiencë do të ndikojë pozitivisht në ekipin tonë”, tha Rrahmani.
Ndërkohë, futbollistja Olsa Maqastena theksoi rëndësinë e atmosferës së mirë në ekip dhe pritjen e ngrohtë për futbollistet e reja që janë bashkuar në këtë kamp.
“Jemi një grup i mirë dhe kemi pritur me shumë kënaqësi edhe disa vajza që i janë bashkuar ekipit nga jashtë. Atmosfera është në nivel dhe stërvitjet po shkojnë shumë mirë. Ndeshjet miqësore në Mal të Zi do të na ndihmojnë shumë për përballjet e nëntorit, ku kemi kundërshtarë të nivelit të lartë. Por ne jemi mësuar të përballemi me ekipe të tilla në gjeneratat e mëhershme dhe jemi të gatshme për sfidat që na presin”, tha Maqastena.
Kombëtarja e Kosovës U19 ka nisur grumbullimin e shtatorit në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Në kuadër të këtij kampi, të enjten, Dardanet U19 do të zhvillojnë një ndeshje testuese me Kombëtaren A, ndërsa në fund të tetorit i presin dy miqësore ndaj Malit të Zi dhe në nëntor ndeshjet kualifikuese të Ligës A për Kampionatin Evropian.