Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka përgëzuar klubin FC Drita për suksesin historik në garat evropiane, kualifikimin në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve, duke e cilësuar këtë arritje si një moment të rëndësishëm për futbollin e Kosovës dhe dëshmi të progresit të vazhdueshëm.
Pasi Drita mposhti Differdange-n në Luksemburg me rezultat 3:2, duke u kualifikuar në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve me rezultat të përgjithshëm 4:2, presidenti Ademi ka publikuar një mesazh urimi përmes rrjeteve sociale.
Mesazhi i plotë:
Urime FC Drita kualifikimi në raundin e dytë të Champions-it!
FC Drita shkruan një faqe të re në historinë e futbollit të Kosovës. Klubi gjilanas kualifikohet në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve, duke u bërë skuadra e parë kosovare që arrin një sukses të tillë në garën më prestigjioze të futbollit evropian.
Arb Manaj shkëlqeu me dy gola, ndërsa Veton Tusha realizoi një tjetër në ndeshjen e kthimit kundër Differdange në Luksemburg (3:2), duke vulosur fitoren dhe kualifikimin e merituar për Dritën.
Përgëzime për futbollistët, trajnerët, stafin teknik, drejtuesit e klubit dhe tifozët ‘Intelektualët’ për këtë arritje të madhe.
FC Drita dëshmoi edhe një herë kualitetin dhe karakterin si një kampione e vërtetë.
Kjo është një fitore e madhe për klubin, për qytetin dhe për gjithë futbollin tonë. Njëherësh është tregues i qartë i rritjes së vazhdueshme të futbollit kosovar.
Urime dhe suksese në raundin e dytë kundër skuadrës së njohur daneze, FC Copenhagen. Vazhdoni të na bëni krenarë!