Prishtina pëson humbje të thellë nga Sheriff Tiraspol në ndeshjen e parë, pak gjasa për rikthim

Prishtina ka pësuar një humbje të thellë në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Ligës së Evropës, duke u mposhtur me rezultat 4-0 nga Sheriff Tiraspol në Moldavi.

Moldavët e nisën furishëm ndeshjen dhe kaluan në epërsi që në minutën e 11-të, me golin e Cyrille Bayala pas një asisti nga Amarildo Gjoni.

Vetëm tetë minuta më vonë, Bayala realizoi sërish, duke dyfishuar epërsinë pas një goditjeje të saktë nga zona.

Prishtina pati disa mundësi për të ngushtuar rezultatin në pjesën e parë – fillimisht Aridan Muja goditi në portierin vendas, ndërsa Valmir Veliu nga topi i kthyer goditi shtyllën.

Një tjetër rast i mirë u shpërdorua edhe nga Blend Baftiu.

Në pjesën e dytë, ekipi i Arsim Thaçit tentoi të rikthehet në lojë, por Sheriffi vazhdoi dominimin.

Bayala kompletoi “hat-trick”-un në minutën e 74-të, para se Elijah Odede të shënonte golin e katërt pesë minuta më vonë.

Një paraqitje nën pritshmëri për Prishtinën, që tani do ta ketë shumë të vështirë të përmbysë gjithçka në ndeshjen e kthimit në “Fadil Vokrri”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *