Gazetarët sportivë të Kosovës shënojnë ditën botërore, ja mesazhi i tyre

Sot, më 2 Korrik, shënohet Dita Botërore e Gazetarisë Sportive, një ditë që vlerëson punën, përkushtimin dhe pasionin e gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve që mbulojnë sportin në gjithë globin. Në Kosovë, kjo ditë shënohet me një zhvillim pozitiv të gazetarisë sportive, megjithatë edhe me sfida të vazhdueshme që kërkojnë angazhim dhe bashkëpunim të mëtejshëm.

Në urimin publikuar në në facebook Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës shprehen optimistë për gjendjen aktuale të këtij profesioni në vend dhe theksojnë rëndësinë e rolit që luajnë në zhvillimin e kulturës sportive.

“Gazetaria sportive në Kosovë po përparon, me një numër të konsiderueshëm të gazetarëve të dedikuar dhe media që i japin hapësirë të merituar sportit. Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha, sidomos në aspektin e kushteve dhe përkrahjes institucionale. Por, jemi të bindur se me përkushtimin tonë dhe mbështetjen e komunitetit, do të arrijmë rezultate më të mëdha,” tha kryetari i Shoqatës.

Me rastin e kësaj dite, Shoqata uron të gjithë gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët sportivë për punën e tyre të palodhur dhe për kontributin e çmuar në mbështetjen dhe promovimin e sportit në Kosovë.

“Gjatë gjithë viteve, puna jonë është një mision i shenjtë – të tregojmë vlerat e larta sportive, të sjellim historitë inspiruese dhe të mbrojmë etikën dhe integritetin në sport,” theksojnë nga Shoqata.

Gazetarët sportivë janë sot më të bashkuar dhe më të përgatitur për të përballuar sfidat e së ardhmes, duke vazhduar të jenë zëri i sportistëve dhe audiencës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *