Kombëtarja e Kosovës në futboll për të verbër, e cila për herë të parë do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian, Divizioni i Dytë, ka udhëtuar drejt Krakovit të Polonisë, ku do të mbahet kjo garë nga data 29 qershor deri më 7 korrik.
Kosova bën debutimin e saj në këtë ngjarje prestigjioze evropiane, ku në grup do të përballet me katër kundërshtarë. Ndeshjen e parë do ta zhvillojë kundër vendit mikpritës, Polonisë, ndërsa më pas do të ballafaqohet me Kazakistanin.
Në dy sfidat e fundit të grupit, Kosova do të përballet me Rumaninë dhe Spanjën, kjo e fundit njëra nga kombëtaret më të forta në këtë kategori. Për këtë garë historike, përzgjedhës Mahmutaj ka ftuar këta futbollistë: Vilson Hajdari (portier), Florian Zeka, Herolind Gashi, Bekim Krasniqi, Daut Hoxha, Shqipron Kuliqi, Fatlum Elshani dhe Mark Pjetraj (kapiten).
Pjesëmarrja në këtë kampionat përfaqëson një moment historik për sportin e të verbërve në Kosovë dhe është dëshmi e përkushtimit të Federatës së Sporteve për të Verbër e Kosovës dhe Federatës së Futbollit të Kosovës për gjithëpërfshirje, barazi dhe zhvillim të sportit për të gjithë.
I pari i FFK-së, Agim Ademi i ka pritur dhe i ka uruar suksese Kombëtares së Kosovës në futboll për të verbër.
Postimi i plotë nga Agim Ademi:
Ne nuk jemi në këtë jetë për të qenë të përsosur, jemi këtu për të qenë të vërtetë!
Para nisjes për në Krakov të Polonisë, pata kënaqësinë të pres Kombëtaren e Futbollit për të Verbër, e cila do të përfaqësojë Kosovën në Kampionatin Evropian.