Gjatë ditës së sotme është bërë e ditur se kur do të zhvillohet ndeshja e barazhit, për hyrje/mbetje në Superligë për sezonin e ri.
Është caktuar dita e shtunë e 31 majit, me duelin që i vë përballë Vushtrrinë e Llapin.
Kjo ndeshje e madhe për dy taboret, do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë. Kjo kërkesë u bë nga dy palët, pasi interesimi qe i madh për këtë takim.
Vushtrria gjatë së shtunës fitoi ndaj Lirisë në barazhin e Ligës së Parë, pasi paraprakisht dy skuadrat kishin përfunduar në vendin e dytë në grupet përkatëse në divizionin e dytë të futbollit kosovar.
Ndeshja e luajtur në Klinë përfundoi 3-1 në të mirë të vushtrriasve, që tashmë fati i ka vënë përballë Llapit, i cili përfundoi në vendin e tetë në Superligën e Kosovës, vend të cilin e siguroi vetëm në javën e fundit.
Ndeshja do të nis nga ora 16:00 dhe fituesi do të nxjerrë biletën për Superligën e Kosovës për sezonin 2025/26.