Sot (e martë) janë në orar për t’u zhvilluar katër ndeshje të fazës së 1/8-tës në Ligën e Kampionëve.
Pas ndeshjeve të para që u zhvilluan dhe u përcollën me spektakël, e njëjta pritet të ndodhë edhe tani në ndeshjet e kthimit.
Dueli më interesant i mbrëmjes së sotme është padyshim ai mes Liverpoolit dhe Paris Saint-Germainit.
Kampioni francez ndonëse u mposht minimalisht në ndeshjen e parë, e dominoi totalisht Liverpoolin dhe tani do tentojë ta përsërisë të njëjtën performancë, me shpresën se do ta përmbysin rezultatin.
Në kërkim të një rikthimi do të jetë edhe Bayer Leverkuseni që do të jetë nikoqir i Bayern Munichut, por mysafirët kanë një epërsi prej tre golash nga ndeshja e parë dhe për ta do të jetë një mision tejet i vështirë.
Ndeshja e vetme që do të luhet në tjetër orar është ajo mes Barcelonës dhe Benficës (18:45) duel ky krejtësisht i hapur pasi blaugranasit triumfuan në Portugali me rezultat minimal 1-0, por me një lojtar më pak në fushë.
Gjiganti italian Interi do të përballet me Feyenoordin në ‘Giuseppe Meazza’ me një epërsi komode prej dy golash pas fitores në ndeshjen e parë që u zhvillua në Holandë.
Të gjitha ndeshjet tjera përveç duelit Barcelona-Benfica do të nisin me fillim nga ora 21:00.