Rumunët të pakënaqur me denimet që morën nga UEFA për ndeshjen me Kosovën, do të apelojnë në CAS!

Federata e Futbollit të Rumanisë ka zbuluar para pak çasteve se do ta kundërshtojë vendimin e UEFA-s në CAS në lidhje me takimin me Kosovën.

Rumunët janë të pakënaqur me gjobat e mëdha të marra pas ndeshjes. UEFA dënoi rumunët me 128 mijë euro për thirrjet e sjelljet e palejuara të tifozëve, si dhe gjobiti kombëtaren rumune me një ndeshje pa tifozë, përcjell GazetaBlic Sport.

Ja njoftimi i Federatës së Futbollit të Rumanisë:

“Federata Rumune e Futbollit njofton se do të apelojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv vendimin e marrë nga UEFA pas incidenteve në ndeshjen Rumani – Kosovë, të luajtur më 15 nëntor 2024, në Arenën Kombëtare në Bukuresht.

Ndeshja nuk përfundoi në fushë pasi mysafirët refuzuan të vazhdonin lojën me më pak se dy minuta të mbetura në minutat shtesë. Arbitri duhet të fishkëllonte fundin e ndeshjes pas një pritjeje mbi një orë, gjatë së cilës në fushë mbeti vetëm skuadra rumune.

Federata Rumune e Futbollit thekson se tifozët rumunë kanë pasur një sjellje të qytetëruar gjatë ndeshjes dhe se janë provokuar, ka shumë prova në këtë kuptim. Përmes kësaj qasjeje FRF dëshiron të mbrojë imazhin e futbollit rumun dhe të luftojë për respektimin e parimeve të lojës së ndershme”, është deklarata e publikuar në ffr.ro.

“Kosova ka shkelur parimin më të rëndësishëm në futboll, që ndeshja të luhet në fushë, por nuk është sanksionuar. Në vend të kësaj morëm disa gjoba dhe një sanksion që e konsiderojmë shumë të lartë”, tha për faqen e federatës, presidenti i FRF-së, Răzvan Burleanu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *