Skuadra e Dritës ka fituar derbin ndaj Llapit, ndeshje kjo që edhe e mbylli javën e 14-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Të hënën në Gjilan, Drita triumfoi 3:1 me përmbysje të rezultatit duke e thelluar krizën e Llapit. Më i merituari për këtë fitore ishte mesfushori Albert Dabiqaj që realizoi “hat-trick”.
Për Llapin, kjo është ndeshja e shtatë rresht pa fitore në Superligë dhe humbja e katërt kurse Drita regjistroi fitoren e katërt rresht.
Me këtë fitore, Drita është shkëputur në krye të tabelës me 31 pikë, katër më shumë se Ballkani që renditet i dyti kurse Llapi mbetet në pozitën e tetë në tabelë me 16 pikë.
Llapi kaloi në avantazh me golin e Blend Baftiut në minutën e 22-të, përpara se Drita të kundërpërgjigjet me golat e Albert Dabiqajt në pjesën e dytë për fitoren e radhës.