Florian Kamberi do të rikthehet javën e ardhshme në Skoci te skuadra e Hibernian.
Ai la ekipin e Rangers, pasi trajneri Steven Gerrard vendosi të mos blejë kartonin e tij dhe sezonin e ri do ta nisë me ekipin që nuk donte, pikërisht Hibernian.
Marrëdhënia e tij me tifozët është krejtësisht e krisur dhe mbështetësit e klubit i kanë dalë kundër në rrjetet sociale.
“Shpresoj të stërvitet i vetëm”, – shkruan tifozi Callum Sutherland. Nuk kanë munguar as komente të tipit:
“Do të habitesha shumë nëse ai luan sërish. Jam tifoz i tij, por komentet e tij na kanë zhgënjyer, talent i madh, por do të shkojë dëm”.
Ka dhe prej atyre tifozëve që mendojnë se Kamberi nuk duhet të veshë më fanellën e Hibernian.
“Ai nuk duhet të veshë kurrë më fanellën tonë nëse drejtuesit kanë respekt për klubin”. Sezoni i Kamberit duket se do të jetë një ferr i vërtetë nëse mbetet me klubin e tij aktual.