Agim Ademi uron 2 Korrikun për kualifkimin

Ekipi U19 i FC 2 Korrikut ka arritur të sigurojë kalimin në rrethin e dytë të UEFA Youth League, duke mposhtur Bylisin e Ballshit, me rezultatin 2:1, në ndeshjen e kthimit, që u zhvillua sot në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Kjo është hera e parë që kampioni i Kosovës i grupmoshës nën 19-vjeç merr pjesë në këtë garë. Pas një pjese të parë pa gola, ku vendasit patën disa mundësi shënimi, ndeshja mori një drejtim të ri në pjesën e dytë.

Goli i parë erdhi në minutën e 61-të, kur Haris Isufi shfrytëzoi një rast të mirë, duke realizuar pas një përballjeje direkte me portierin mysafir, duke e dërguar topin në rrjetë për 1:0. Përgjigjja e Bylysit ishte e shpejtë, kur Chidera Nwaneri barazoi shifrat në 1:1.

Megjithatë, gëzimi i mysafirëve zgjati vetëm për pak, pasi Rin Ahmeti, tre minuta më vonë, shënoi golin e fitores për 2 Korrikun, duke vulosur rezultatin e kësaj ndeshje, 2:1.

Me këtë fitore, 2 Korriku kaloi në rrethin tjetër të UEFA Youth League, me rezultatin e përgjithshëm 4-2, pasi në ndeshjen e parë në Elbasan po ashtu kishin triumfuar 2:1.

Për suksesin e arritur ekipin e 2 Korrikut e ka përgëzuar edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi.

https://www.instagram.com/p/DAoAR5bomBD/?igsh=NTc4MTIwNjQ2YQ==

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *