UEFA dënon FFK-në për shkak të sjelljeve të tifozëve në ndeshjen kundër Rumanisë

Ashtu si pritej, UEFA e ka dënuar Federatën e Futbollit të Kosovës për incidentet e shumta gjatë ndeshjes me Rumaninë, muajin e kaluar.

FFK-ja është gjobitur me plot 61 mijë euro për shkelje të ndryshme e të shumta gjatë ndeshjes së Ligës së Kombeve të UEFA-s. Ndeshja ishte zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Hyrja e shikuesve të shumtë në fushë, hedhja e gjësendeve në fushën e lojës, ndezja e fishekzjarrëve, fishkëllimat gjatë himnit të Rumanisë, bllokimi i rrugëve publike, ishin prej shkeljeve të regjistruara në ndeshjen që Rumania e fitoi 3:0.

Për hyrjen e shikuesve në fushë, përkatësisht për pushtim të fushës, FFK-ja është gjobitur me plot 10 mijë euro. Për hedhje të gjësendeve, FFK-ja do të paguaj në UEFA 22 mijë euro.

Për fishekzjarrë të ndezur, buxheti i FFK-së do të pakësohet për 6000 euro. Për shkak të fishkëllimave të tifozëve gjatë intonimit të himnit të Rumanisë, Federata e Futbollit e Kosovës do të paguaj dënim prej plot 15 mijë euro. Ndërsa për bllokim të rrugëve publike, përkatësisht për qëndrimin e shikuesve në pjesën e tribunave të destinuara për lëvizjen e tyre, FFK-ja do të paguajë 8000 euro.

Pas ndeshjes, nga përfaqësuesja e Kosovës nuk ishin respektuar obligimet për deklarim për media. Selektori Franco Foda nuk doli në konferencë për shtyp, ndërsa i vetmi që foli, madje vetëm për dy mediume, ishte kapiteni Amir Rrahmani. Dhe për mosrespektim të aktiviteteve mediatike, UEFA ia ka tërhequr vërejtjen FFK-së. Paraqitja e selektorit në konferencë është obligative e po ashtu deklarimi i lojtarëve në zonën miks.

Jo rrallë Federata e Futbollit e Kosovës dënohet për sjellje të pakontrolluara të shikuesve. Megjithatë në ndeshjen e 6 shtatorit shkeljet dolën plotësisht jashtë kontrolli. Në fushën e lojës, si asnjëherë më parë, janë futur shumë shikues. Kjo solli ndërprerjen e lojës në të paktën tri raste.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *