Mbrëmjen e së premtes u bë hapja zyrtare e Lojërave Olimpike në lumin Sena aty ku prezent ishin tetë mijë pjesëmarrës, në mesin e tyre edhe Kosova me sportistët e saj.
Garuesja e parë nga Kosova që do të paraqitet në Lojërat Olimpike është boksierja Donjeta Sadiku e cila sot (27 korrik) zhvillon meçin e saj në kërkim të medaljes olimpike.
Pengesa e parë e Sadikut në ‘Paris 2024’ do të jetë boksierja nga Tajlanda, Thananya Somunek me meçin i cili i takon kategorisë deri në 60 kilogramë.
Në rast se Sadiku arrin ta kalojë me sukses kundërshtaren Somnuek, atëherë ajo do të kishte përballë boksieren kolumbiane Angie Paola Valdes Pana, ndërsa në një çerekfinale potenciale do të boksonte ndaj Kellie Harrington nga Irlanda.
Sadiku në ‘Paris 2024’ është me normë olimpike dhe nga nëntë garues sa e përfaqësojnë Kosovën gjithsej, ajo do ta nis e para.
Kjo nuk është hera e parë për Sadikun që paraqitet në Lojërat Olimpike, pasi që ajo kishte qenë pjesëmarrëse edhe në ‘Tokio 2020’ me ftesë të universalitetit.
25-vjeçarja është fituese e medaljeve në dy ngjarje të mëdha të boksit. Me medalje të bronztë ishte stolisur në evropian e botëror. Sukseseve synon t’ia shtojë edhe një medalje, më të vlefshmen në ngjarjet sportive.
Sukseset për Sadikun nuk janë diçka e re, pasi ajo ka fituar paraprakisht dy medalje të bronzta në evropian dhe botëror, ndërsa synimi i saj është që edhe në këtë edicion të Lojërave Olimpike ta fitojë një tjetër medalje.
Kujtojmë se meçi mes Sadikut dhe Somnuek do të nis me fillim nga ora 21:00 dhe Telegrafi do t’iu mbajë të informuar rreth kësaj ngjarje.