Didier Deschamps nuk u fsheh pas eliminimit nga Euro 2024. Pas humbjes 2-1 në gjysmëfinalen kundër Spanjës, trajneri i Francës theksoi se disa prej lojtarëve nuk dhanë 100% në ndeshjet e këtij Europiani.
Numri një i “Gjelave” shprehu hapur dhe kritikat kundrejt Kylian Mbappes, duke mos e konsideruar në nivelin e duhur.
“Unë jam përgjegjës për situatën, jam trajneri dhe mbaj përgjegjësitë e mia. Jemi në fundin e një sezoni të ngarkuar. Mos të harrojmë që Mbappe pësoi një traumë që në ndeshjen e parë. Arritëm deri në gjysmëfinale dhe përballë kishim një skuadër të shkëlqyer si Spanja.
Mbappe ishte në fushë, por nuk luajti aq mirë sa zakonisht. Nuk dua të gjej justifikime, por kur nisi Europiani na mungonin disa lojtarë të rëndësishëm, ndërsa disa të tjerë kishin probleme fizike.
Bëmë maksimumin dhe tentuam të ishim sa më shumë efikas. Arritëm të shënonim të parët, por më pas Spanja e menaxhoi mirë lojën. Nuk u paraqitëm mirë, nuk luajtëm siç donim, ndonëse dhamë gjithçka. Lojtarët provuan deri në fund, por jo të gjithë luajtën në 100% të kapacitetit të tyre. Për disa arsye”.
Tekniku u pyet dhe për mundësinë e largimit nga stoli, por përgjigja e tij la të kuptohej se nuk e mendonte diçka të tillë në këtë moment.
“Ne sapo kemi humbur një gjysmëfinale. Dua më shumë respekt, ashtu siç u respektoj unë juve. Mund të shkoni të pyesni presidentin e Federatës për këtë çështje. Jam i qetë. Ndodhi ajo që ndodhi, por pyetjes për të ardhmen nuk do i përgjigjem. Ju e dini mirë se çfarë mendon presidenti. Këtë pyetje duhet ta kishit shmangur”.
Sa i takon zgjedhjes së Mbappes për të luajtur pa maskë, trajneri i Francës deklaroi se ajo e ka penguar në rrezen e shikimit. Duke e rreshtuar si një nga faktorët se pse djemtë e tij kanë shënuar kaq pak gola në këtë Europian.
“Ishte zgjedhja e tij të luante pa maskë, pasi i pengonte shikimin. Është një nga arsyet se pse nuk shënuam shumë gola. Na kanë munguar goditjet në kuadrat, gjë që na ngarkoi pak psikologjikisht.
Por mos të harrojmë se arritëm deri në gjysmëfinale. Shënonim të parët me Kolo Muani. Më pas erdhi goli i Yamal, që ishte i mrekullueshëm. Duhet t’i japim meritat për atë gol. U përpoqëm ta ndalonim, por teknikisht ajo goditje ishte e përsosur”, përfundoi Deschamps.