Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, kishte edicion të përkryer. Në një intervistë për “Blick”, Xhaka foli për trofetë me Leverkusenin, trajtimin në Zvicër, deklaratat e ngutshme pas ndeshjes me Kosovën e plot gjëra të tjera.
Ai është pyetur nëse ka shfaqur më të mirën në karrierë në edicionin e kaluar.
“Nuk e krahasoj veten. Por e di që kam bërë shumë gjëra si duhet, përndryshe një stinor si ky nuk do të ishte i mundur. Jo vetëm për mua, por as për klubin. Të mbetemi të pamposhtur në 52 prej 53 ndeshjeve është diçka që duhet të na bëj krenar”, ka thënë Xhaka.
Ai thotë se si i ri luan futboll për qejf. Gjatë karrierës kupton se çka mund të arrihet.
“Dhe më pas fillon të ëndërrosh për tituj. Dhe mendoj se një titull, sidomos jashtë, vlen më shumë se një titull me Baselin”, ka theksuar 31-vjeçari.
Ai ka shtjelluar duke thënë se kur luante në Zvicër, Baseli ishte i pakonkurrencë. Me Baselin i fitoi dy tituj dhe një kupë. Por ai sukses pritej nga Baseli.
“Vjet kalova te një klub që njihej për dështimet në fund. Ndonëse gjithnjë ka pasur lojtarë të veçantë dhe ekipe të mira, nuk ishte në gjendje të fitonte asgjë në dekadat e fundit. Të fitosh trofe me një klub si ky është e veçantë. Titulli me Leverkusenin është natyrisht më i veçantë se ta fitosh me Bayernin. Bayerni e ka pasur të garantuar titullin në vitet e kaluara. Nëse do ta ketë në të ardhmen, kjo mbetet të shihet”, ka theksuar Xhaka.
Xhaka është pyetur edhe për trashëgiminë e tij në futboll. Ka theksuar se titujt janë pjesë e saj. Për
Xhakën trofetë janë të rëndësishëm. Por e rëndësishme është edhe si fitohen titujt dhe fakti që ishte në fushë nga fillimi në 50 prej 53 ndeshjeve.
“Kam udhëhequr ekipin me përvojën time dhe mendoj se kam luajtur shumë mirë. Çdo gjë ishte e përkryer te Bayeri nga dita e parë. Me trajnerin Xabi Alonso, me bashkëlojtarët, me mentalitetin”.
Ai vlerësohet lart në Gjermani, ndërsa është vlerësuar edhe në Angli ku luajti për Arsenalin.
“Më mbetet të bëj gjërat e duhura në Zvicër dhe më pas do të jetë çdo gjë në rregull”, thotë Graniti duke qeshur. “Në futboll kur gjërat shkojnë mirë, lavdërohesh. Kur gjërat nuk shkojnë mirë… është pjesë e biznesit, pjesë e lojës. Kam pasur kohë në Angli kur gjërat ishin më ndryshe. Por në fund tifozët thirrën emrin tim dhe kanë dashur që unë të mbetem”.
“Blick” e ka pyetur Xhakën për atë se si shihet ai në Zvicër. Xhaka nuk është shprehur shumë qartë. Ka lënë të kuptohet se pret trajtim më të mirë.
“E komplikuar, kjo është fjala më e mirë. Është më e komplikuar në Zvicër se në Angli e Gjermani. Nuk ka të bëj vetëm me mua. Ka gjëra për të cilat, duke shikuar prapa, them: Duhet të marr përgjegjësi për atë. Jam shumë i sinqertë me veten për këtë. Kur thoni dhe bëni gjëra të caktuara, ju duhet të jetoni me pasojat. Por kjo është në rregull për mua. Nuk dua të kem vetëm jetë të qetë. Pak aksion është pjesë e kësaj”.
Mesfushori i pandalshëm ka përmendur ndeshjen me Kosovën. Ai kishte kritikuar mënyrën se si Zvicra kishte përgatitur ndeshjen dhe kjo ishte bërë e madhe. Ishte vlerësuar sulm ndaj selektorit të Zvicrës.
“Situata pas ndeshjes me Kosovën më vjen në mend. Kam folur me Murat Yakinin më pas dhe jam qartësuar me të. Kam kuptuar se është dashur të paraqes kritikat ndryshe. Apo më mirë, të mos i paraqes fare menjëherë pas ndeshjes. Nuk ishte momenti. Kritika pas ndeshjes me Kosovën ishte gabim”.
Xhaka ka treguar se raportet me selektorin Yakin i ka shumë të mira. Thotë se është pjesë e futbollit që trajnerët e lojtarët nuk pajtohen gjithnjë.
Xhaka prej të shtunës e udhëheq Zvicrën në fushë në Euro 2024.