KF Prishtina e re ka mbërritur në finale të play-offit duke eliminuar Dinamo Ferizajn, pas ekzekutimit të penalltive.
Derbi i play-offit ishte i hatashëm, me raste të njëpasnjëshme dhe epilogu përfundimtar që doli të jetë 3:3, ku skuadra që avancoi u mësua në penallti, ku më të mirë u treguan Prishtina e Re me rezultat 8:7.
Dinamo e nisi më mirë, duke fituar një penallti në minutën e 22-të, të cilën e konkretizoi për mrekulli Fidan Gërbëshi (22’).
Mirëpo, vetëm shtatë minuta më vonë Prishtina e Re u përgjigj me anë të Salih Kosumit, që përfitoi nga një gabim amator i Berishës (29’).
Kur mendohej se pjesa e parë do të përfundojë me këtë rezultat, në skenë doli Daniel Tette që pas një aksioni të shpejtë i riktheu epërsinë Dinamos (45+3’).
Sidoqoftë, vetëm dy minuta pasi nisi pjesa e dytë, Prishtina e Re e bëri ndeshjen edhe më dramatike, duke shënuar me anë të Vigan Ademit (47’).
Dy skuadrat pastaj kishin disa raste, por që s’ia dolën t’i konkretizonin andaj ndeshja shkoi në vazhdime, pra dy herë nga 15 minuta.
Prishtina e Re ishte këtë herë skuadra që doli për herë të parë në epërsi duke realizuar me Urim Statovcin, që përfitoi nga gabimi i portierit Rexhepi (103’).
Megjithatë, një autogol i Dardan Jasharit e barazoi prapë rezultatin në 3:3, rezultat me të cilin u mbyll takimi, andaj penalltitë përcaktuan fituesin.
Nga pika e bardhë më të saktë dolën Prishtina e Re, pavarësisht që u gjuajtën shumë penallti, ku lojtarët u detyruan të gjuajnë për herë të dytë që të shpallet fituesi.
Florim Berisha ishte fytyra tragjike e skuadrës së Bylbyl Sokolit, derisa Egzon Bislimi heroi i Prishtinës së Re, duke bërë pritje pas pritje, pavarësisht që e humbi penalltinë e tij.
Kësisoj, Prishtina e Re avancon në finale të play-offit ku do të përballet me Feronikelin ’74, skuadër kjo që e mbylli si vend i tetë në Superligën e Kosovës.