Rey Manaj e ka mbyllur aventurën te skuadra nga Superliga e Turqisë, Sivasspor pas një viti të jashtëzakonshëm.
Pas ndeshjes së fundit ndaj Kayserispor ku luajti sërish si titullar dhe ishte kapiten i Sivassporit, sulmuesi shqiptar dërgoi një mesazh për klubin dhe tifozët në rrjetet sociale, duke bërë të qartë lamtumirën e tij.
“Ju dua Sivas. Do të mbeteni gjithmonë në zemrën time. Faleminderit për gjithçka”, shkroi Manaj në rrjetet sociale, duke nënkuptuar se ishte ndeshja e tij e fundit me fanellën e Sivassporit.
Rey Manaj iu bashkua klubit turk në gushtin e vitit të kaluar dhe u përshtat shumë shpejt dhe duke u shndërruar në një pikë referimi për skuadrën.
Sulmuesi 27-vjeçar luajti 33 ndeshje në kampionat, ku shënoi 18 gola dhe asistoi në tre të tjerë. Manaj luajti edhe 3 ndeshje në Kupë, ku gjeti katër herë rrugën e rrjetës, për të shënuar një total prej 22 golash me Sivassporin gjatë sezonit 2023-2024.
E ardhmja e Rey Manajt me shumë gjasa do të jetë në Serinë A, aty ku janë të shumtë klubet e interesuara për shërbimet e tij.
Megjithatë për të në garë janë edhe skuadrat turke, ku Besiktasi shihet si favorit.