Ishte një javë ku shkëlqeu sidomos porta. Po flasim për dy shqiptarë, nga të cilët njëri luan për Kosovën, dhe tjetri për ekipet kombëtare të Gjermanisë.
Arijanet Muric ishte vërtet i jashtëzakonshëm në Premier League, edhe pse pësoi dy gola nga “Blutë” e Chelsea, teksa në “mitikun” e Londrës, “Stamford Bridge”, Burnley barazoi 2 me 2, me vendasit, veçse pika u mor sidomos falë portierit, me 25-vjeçarin, që po tregon klasin e tij vërtet të madh.
Agjencia e specializuar e statistikave “Sofascore” i vuri notën maksimale 10, si një “nxënës” i shkëlqyer. Shumë rrallë, ndonjë futbollist në Premier Ligë apo kudo qoftë mund të ketë arritur një nivel të tillë.
Sipas “Sofascore”, “gardiani” i Kosovës bëri plot 11 pritje, nga të cilat disa ishin shpëtimtare, ndërsa bëri 8 ndërhyrje shpëtimtare në zonën e rreptësisë. Në vetëm dy ndeshje, gjigandi me shtatlartësi 1.98 metra po e tregon veten, e ndoshta portieri që ishte më parë pjesë e Manchester City mund të sigurojë sërish një skuadër të madhe.
Paraqitje shumë të mirë bëri një tjetër shqiptar i Kosovës. Ky ishte portieri i Ajax, Diant Ramaj, me 22-vjeçarin, që po tregon siguri dhe bëri tri pritje të shkëlqyera në ndeshjen e kampionatit holandez, që “Harkëtarët” fituan me rezultatin, 3 me 1, në fushën e Zëolle.
Ramaj ka notën mesatare mbi 7.1 këtë sezon, një vlerësim i mirë, ndërsa shpreson të arrijë majat.
Trajneri Sylvinho e ka shprehur dëshirën që ai të luajë për Shqipërinë, ndërsa padyshim edhe Kosova mendon për të. Sidoqoftë, djaloshi i lindur në Shtutgart ëndërron të jetë pjesë e Gjermanisë, ndonëse për herë të fundit për të ka luajtur në 2021 për Kombëtaren U20.