“Urime për Bayer Leverkusen”, Thomas Tuchel dorëzohet nga gara për titull në Bundesliga

Trajneri i Bayern Munichut, Thomas Tuchel, është dorëzuar nga gara për titull në Bundesliga pas humbjes me rezultat 2-0 në derbi ndaj Borussia Dortmundit.

Kjo humbje e Bayernit dhe fitorja e Leverkusenit ndaj Hoffenheimit, ka bërë që diferenca e ‘Aspirinave’ në krye të tabelës me bavarezët të jetë 13 pikë, teksa kanë mbetur edhe shtatë ndeshje për tu luajtur.

“Urime për Bayer Leverkusen”, ishin fjalët që Tuchel i tha shkurtimisht pas ndeshjes për Sky Germany, vetëm disa orë pasi lideri i pamposhtur i ligës Leverkuseni përmbysi rezultatin ndaj Hoffenheimit.

Kur u pyet nëse gara për titull ka marrë fund, Tuchel u përgjigj “natyrisht”, duke thënë se është “shumë e qartë” se Xabi Alonso do të fitojë titullin e tij të parë në Bundesliga.

“Pas ndeshjes së sotme nuk ka shumë për tu thënë”, u shpreh Tuchel, i cili do të largohet nga Bayerni në verë.

Leverkuseni ka lëshuar vetëm tetë pikë këtë sezon, ndërsa i duhen vetëm nëntë pikë në shtatë ndeshjet e tyre të fundit, për tu shpallur matematikisht kampion i Bundesligës për herë të parë.

Edhe veterani Thomas Muller i cili ka fituar 12 tituj në Munich u shpreh se duket e pamundur që Bayerni të fitojë titullin këtë sezon.

“Nuk jam një profesor i matematikës dhe nuk i kam bërë llogaritjet, por nëse jemi të sinqertë, duket e pamundur”, deklaroi ai./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *