Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda ka mbajtur sot konferencën për media para ndeshjeve të këtij muaji kundër Armenisë dhe Hungarisë.
Foda e nisi konferencën në gjuhën shqipe me “Mirëdita”, ndërsa vazhdoi të tregonte se ka filluar të bëhet grumbullimi i lojtarëve e që të gjithë prej tyre janë të gatshëm.
“Mirëdita, shpresoj që të gjithë të jeni mirë për takimin tonë të parë. Gjatë javëve të kaluara unë dhe trajneri kemi qenë shumë duke udhëtuar, i kemi shiquar lojtarët dhe jemi njoftuar rreth lojërave të ndryshme. Po ashtu, jam taku personalisht me lojtarët, në Itali me Amir Rrahmanin, në Spanjë me Vedat Muriqin, ku kemi pasur biseda shumë të mira, dhe e kemi kënaqësinë me fillu me lojtarët dhe e kemi kënaqësinë me fillu lojën e parë me Armeninë. Sot ende nuk janë prezent të gjithë lojtarët për shkak se dje kanë pasur lojë, mirëpo sot gjatë ditës të gjithë do të jenë prezent. Mirëpo sot 17 lojtarë do të marrin pjesë në trajnime dhe sot kemi me pas takimin e parë me ta. Të gjithë lojtarët janë të shëndetshëm dhe fit për lojë”, tha Foda.
Po ashtu, Foda zbuloi se pse mungon sulmuesi i Rapid Buchurestit, Ermal Krasniqi në grumbullimin e tij. Ai tha se gjatë këtyre muajve ka udhëtuar vazhdimisht për të shikuar ndeshjet e lojtarëve të Kosovës, dhe lojtarët e ftuar e kanë bindur se e meritojnë të jenë pjesë e grumbullimit, prandaj edhe janë të ftuar.
“E kemi pasur një grup prej 40 deri në 50 lojtarë, por ne jemi përcaktuar për këta lojtarë të cilët neve na kanë magjepsur më shumë, gjithsesi secili prej këtyre lojtarëve duhet me tregu vetën në anët më të mira, gjithashtu dyert kanë për të qenë të hapura për çdo lojtarë, dhe secili lojtarë ka me pas mundësinë ta tregojë vetën dhe me marr pjesë në lojë, mirëpo dëshirojmë këtyre lojtarëve që i kemi përzgjedhur tash të ju japim mundësinë me tregu vetën në këtë lojë, mirëpo në të ardhmen, në ndeshjet e ardhshme kemi me i përcjellë vazhdimisht lojtarët. Për neve është shumë me rëndësi me u përgatit gjatë këtyre lojërave që i kemi tash, po ashtu edhe verës dhe me i zgjedh lojtarët më të mirë”, tha Foda.
“Dardanët”, përballen me Armeninë më 22 mars, ndërsa katër ditë më vonë do të luajnë kundër Hungarisë.