Liverpoolit i dështon objektivi i parë për pasuesin e Klopp-it

Largimi i Jurgen Klopp nga Liverpooli pas përfundimit të këtij sezonit do të lë një boshllëk të madh tek skuadra angleze, andaj kërkimet për pasuesin e tij tashmë janë duke u zhvilluar.

“La Gazzetta dello Sport” konfirmon se drejtorët e Liverpool-it po ndjekin trajnerin e Interit, Simone Inzaghi, por 47-vjeçari nuk është i gatshëm të largohet nga “Giuseppe Meazza” për arsye personale dhe profesionale.

Interi i Inzaghit po dominon Serinë A këtë sezon duke shijuar një epërsi prej 15 pikësh ndaj Juventusit në krye të tabelës, përcjellë KosovaPress.
Inzaghi ka fituar pesë trofe gjatë periudhës së tij dyvjeçare e gjysmë në “Meazza”, kështu që interesimi i Liverpoolit për ish-sulmuesin italian nuk është befasues.

Kontrata e tij skadon në vitin 2025, por Interi pritet t’i ofrojë atij një kontratë të re dyvjeçare në fund të sezonit. Sipas Gazzetta, Inzaghi është i vetëdijshëm se projekti afatgjatë i klubit do t’i lejojë atij të fitojë më shumë trofe në të ardhmen e afërt. Interi ka siguruar tashmë marrëveshje për të nënshkruar me Mehdi Taremin dhe Piotr Zielinski falas në qershor, dhe Inzaghi dhe familja e tij janë të lumtur në Milano. Andaj Liverpooli do të detyrohet të kërkojë diku tjetër zëvendësuesin e Klopp.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *