Mehmet Hetemaj është bërë heroi i ditës në Finlandë duke e shpëtuar një fëmijë nga mbytja në një liqen artificial. Tellerreport bën të ditur se futbollisti i Seinajoki Football Club (SJK) kishte vrapuar drejt ujit për ta shpëtuar një djalë, i cili kishte rënë nga dysheku i notimit.
Ngjarja ka ndodhur në Kyrkosjarvi të Seinajoki, kur fëmija më i vogël se 10 vjeç kishte rënë në ujë dhe nuk mund të dilte. Në kohën e incidentit në plazh ndodheshin disa njerëz.
Në mesin e tyre ishte edhe kapiteni i SJK, Mehmet Hetemaj dhe nëna e tij, të cilët po kalonin një ditë të relaksi në liqenin artificial.
Kur fëmija kishte rënë në ujë, në fillim kishte vrapuar nëna e futbollistit, e cila nuk ka arritur ta nxjerrë fëmijën dhe pastaj ka vrapuar edhe mesfushori, i cili e ka nxjerrë djaloshin në breg.
“Është mot i mirë sot, prandaj nëna ime dhe unë dolëm për të marrë ca rreze. Ishim rreth dhjetë metra larg ujit”, ka treguar Hetemaj, citon Tellerreport, ndërkohë që ishte akoma i lagur.
“Nëna ime e kapi djalin. Megjithatë, të dy hyjnë nën ujë, kështu që hyra edhe unë në ujë. E kapa djalin dhe e ngrita mbi sipërfaqe”, ka shtuar më tej 32-vjeçari.
Nëna e fëmijës i ka falënderuar shpëtimtarët e djalit të saj, të cilët menjëherë pas janë larguar nga plazhi. Ndërsa bëhet e ditur se liqeni në fjalë ka thellësi të menjëhershme.
“E kam shikuar ‘Bayëatch’ (serialin e famshëm me rojat e plazhit) dhe programe të ngjashme televizive, ndërsa në bazë të tyre, shpëtimi duket i lehtë. Ishte shumë vështirë, edhe ishte një djalë më i vogël se 10 vjeç”, ka thënë mesfushori defensiv.
Kujtojmë që Hetemaj, i cili ka lindur në Skënderaj, e ka përfaqësuar Finlandën dhe Kosovën.