Rey Manaj është lojtari shqiptar i momentit, pasi në çdo xhiro ai shënon me fanellën e Sivassporit.
Sulmuesi shqiptar ka shkëlqyer këtë edicion me fanellën e skuadrës turke, duke realizuar 18 gola në të gjitha garat.
Në 23 ndeshje në Superligën e Turqisë, Manaj ka realizuar 14 gola dhe katër të tjerë në Kupë në tre ndeshje të zhvilluara.
Falë ndeshjeve spektakolare që ka zhvilluar, Manaj është bërë objektivi kryesor i gjigantit turk Besiktas për sezonin e ri.
Së fundmi, mediet turke kanë zbuluar se gjigantët e Besiktasit janë futur në garë për shërbimet e sulmuesit kuqezi. Skuadra nga Stambolli e vlerëson shumë Manajn dhe në verë pritet që të bëjë një ofertë zyrtare te Sivasspori.
Sivasspor e vlerëson Manajn 15 milionë euro, por këtë shumë Besiktas nuk është në gjendje ta ofroj.
Skuadra nga Stambolli është gati të ofrojë 10 milionë euro plus dy lojtarë te Sivasspori për të arritur te Manaj.
Te gjiganti turk ëndërrojnë që për sezonin e ri të kenë një treshe shqiptare në repartin ofensivë me Rey Manajn, Milot Rashicën dhe Ernest Muçin.