Turqia është kthyer në tregun e ri të lojtarëve tanë. Ernest Muçi ishte goditja e fortë e Besiktas, që e mori për 10 milionë euro nga Legia Warshzaw, edhe më shumë sesa vlera që i jep agjencia e specializuar “Transfermarkt”, prej 8 milionë eurosh.
Gjithsesi, për “yllin” e ri rritja është impresionuese, sepse nuk harrohet shkurti i vitit 2021, kur u transferua nga Tirana për në Poloni për vetëm 500 mijë euro, teksa në më pak se 3 vjet, Muçi e 20-fishoi vlerën e tij profesionale.
Ndërkaq, Turqia mund të bëjë biznes edhe me kartonin e Rej Manajt. Sulmuesi që ka 14 gola në Turkiye Superlig dhe është në garë me Edin Dzeko e Mauro Icardi për “Këpucën e Artë”, besohet se ka tërhequr vëmendje nga Spanja, Franca apo edhe Arabia Saudite, teksa trajneri i tij te Sivasspor, Bulent Oygun, parashikon që kartoni i sulmuesit të shitet për të paktën 15 milionë euro.
Natyrisht, Kombëtarja ka edhe lojtarë të tjerë që vlejnë jo pak. Kristjan Asllani sot vlerësohet në 14 milionë euro, ndërsa Inter e mori për 10 milionë euro. Armando Broja ndërkaq, është rekordmeni ndër “Kuqezinjtë” me vlerë kartoni 28 milionë euro, diçka më poshtë sesa maksimumi që e pati në nëntor të 2022-it, kur “transfermarkt” e vlerësonte me 30 milionë euro.